Një trajnim intensiv dhe praktik në fushën e implantologjisë u zhvillua me sukses në ambientet e Shijaku Dental Center, organizuar nga Marlen Dental në bashkëpunim me JD Dental Care, duke mbledhur mjekë stomatologë nga Shqipëria, Kosova dhe Zvicra në një eksperiencë të plotë teorike dhe klinike.

Nën mentorimin e Dr. Abdyl Shijaku dhe Dr. Marlen Shijaku, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin nga afër të gjithë hapat e trajtimit implantar, duke filluar nga planifikimi teorik deri te aplikimi praktik mbi pacientë realë. Fokus i trajnimit ishte krijimi i një eksperience sa më të afërt me praktikën klinike të përditshme, duke i lejuar mjekët të zhvillojnë aftësi konkrete dhe të fitojnë më shumë siguri në trajtimet implantare.

Një nga elementët më të rëndësishëm të këtij kursi ishte pjesa hands-on, ku çdo pjesëmarrësi iu mundësua vendosja e 3 deri në 6 implanteve mbi pacientë realë nën mbikëqyrjen direkte të mentorëve. Kjo qasje praktike i dha kursit një vlerë të veçantë edukative, duke e kthyer teorinë në eksperiencë reale klinike.


Gjatë sesioneve teorike u trajtuan temat kryesore të implantologjisë moderne, përfshirë diagnostikimin, planifikimin e rasteve, menaxhimin kirurgjikal, përzgjedhjen e implanteve dhe protokollet bashkëkohore të trajtimit. Ndërkohë, pjesa praktike u fokusua në vendosjen e implanteve, analizimin e rasteve klinike dhe diskutimin e sfidave reale që hasen në praktikën e përditshme.

Ky trajnim tregoi edhe një herë rritjen e interesit të mjekëve shqiptarë për edukimin e vazhdueshëm dhe përfshirjen në programe që kombinojnë teorinë me praktikën klinike intensive. Prania e pjesëmarrësve nga vende të ndryshme shqiptare dhe nga diaspora dëshmoi rëndësinë që po marrin këto iniciativa në zhvillimin profesional të stomatologjisë moderne.

Shijaku Dental Center, pjesë e Marlen Dental, vazhdon të shërbejë si një qendër aktive për trajnime profesionale dhe zhvillim klinik, duke kontribuar në ngritjen e standardeve të implantologjisë në Shqipëri.

Dentistet Shqiptare Media ishte e pranishme gjatë gjithë aktivitetit për të dokumentuar nga afër trajnimin, procedurat klinike dhe për të intervistuar pjesëmarrësit, duke sjellë për komunitetin dentar shqiptar eksperiencat, opinionet dhe momentet më të rëndësishme të këtij kursi të suksesshëm.
No results available
© 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.