Written by Dentistët Shqiptarë

Si Arbër Mingo ndërtoi median moderne të stomatologjisë shqiptare

Arber Mingo, themeluesi i DSHM: Si u ndërtua media dentare me komunitetin më të madh në Shqipëri

 

Nga një direktori klinikash e nisur në vitin 2016, te zyrat e reja, prodhimi editorial dhe një ekosistem që lidh dentistë, klinika, laboratorë, akademi dhe kompani.

Nga redaksia e DSHM | Gusht 2026

“Nuk doja të ndërtoja vetëm një faqe që publikon. Doja të ndërtoja vendin ku industria dentare shqiptare gjen veten, dokumentohet dhe krijon mundësi.” — Arber Mingo

ARBER MINGO

Në shkurt të vitit 2026, kur DSHM – Dentistët Shqiptarë Media u vendos në zyrat e reja në Bllok dhe investoi në pajisje, staf e prodhim mediatik, ndryshimi nuk ishte thjesht fizik. Ishte momenti kur një ide e lindur dhjetë vjet më parë mori formën e saj më të plotë: një media shqiptare e dedikuar ekskluzivisht dentistrisë.

Sot, me një komunitet prej mbi 43,000 ndjekësish në kanalin kryesor, mijëra profesionistë të lidhur me platformën, mbi 600 persona të punësuar përmes njoftimeve dhe dhjetëra trajnime, intervista e evente të dokumentuara, DSHM është konsoliduar si media dentare me komunitetin më të madh në Shqipëri. Në qendër të këtij rrugëtimi është Arber Mingo, themeluesi dhe CEO i DSHM.

Kush është Arber Mingo?

Arber Mingo është një sipërmarrës shqiptar me mbi dhjetë vjet eksperiencë në marketingun digjital, komunikim dhe ndërtim markash. Ai ka përfunduar Master Shkencor në Teknologji Informacioni dhe është diplomuar gjithashtu në Graphic Design. Përgjatë viteve ka punuar si brand strategist, content creator, videographer, video editor dhe designer, role që sot bashkohen në mënyrë organike në drejtimin e një mediaje të specializuar.

Por CV-ja teknike tregon vetëm një pjesë të historisë. Mingo është edhe autor. Ai ka shkruar katër libra: “Koshienca”, “Thjeshtësia e të Jetuarit”, “HEAL” dhe “Këtu dhe Tani”. “HEAL” është publikuar më herët në format Kindle, ndërsa “Këtu dhe Tani” është në proces botimi. Shkrimi, siç tregon ai, nuk ka qenë një projekt anësor, por mënyra përmes së cilës ka mësuar të kuptojë njerëzit, të ndërtojë mesazhe dhe t’u japë formë ideve.

Sot objektivi i tij është i përqendruar në një drejtim të vetëm: ndërtimin e DSHM si një ekosistem ku të gjithë aktorët e industrisë dentare – dentistët, klinikat, laboratorët, akademitë, kompanitë dhe profesionistët e rinj mund të përdorin të njëjtën platformë për të krijuar profil profesional, për të regjistruar klinikën, për të promovuar trajnime, për të gjetur staf dhe për t’u ekspozuar përmes intervistave, podcasteve, videove, rubrikave editoriale dhe eventeve.

Pse pikërisht dentistria?

Pyetja duket e natyrshme për dikë që nuk vjen nga profesioni i dentistit. Përgjigjja e Mingos nuk nis te një kalkulim marketingu, por te ajo që pa në terren: një industri që po zhvillohej më shpejt sesa aftësia e saj për ta treguar këtë zhvillim.

“Pashë një potencial të jashtëzakonshëm në një industri që po ecte me hapa shumë të shpejtë. Pas takimeve të vazhdueshme me dentistë dhe pas krijimit të një rrjeti ku sot bëjnë pjesë mijëra profesionistë, arrita në një përfundim të thjeshtë: Shqipëria i ka profesionistët këtu. Nuk është më e nevojshme të kërkojmë gjithmonë jashtë. Duhet ta promovojmë Shqipërinë, brenda dhe jashtë saj.”

Sipas tij, në Shqipëri ka dentistë të specializuar në fusha të avancuara, përfshirë implantologjinë komplekse dhe teknika që nuk gjenden lehtësisht as në tregje të mëdha europiane. Boshllëku nuk ishte domosdoshmërisht te profesionalizmi; ishte te dokumentimi, komunikimi dhe ekspozimi i tij.

Kështu lindi vizioni që dentistria shqiptare të merrte të njëjtin nivel promovimi me nivelin e zhvillimit të saj profesional. DSHM nuk do të ishte një spektator i industrisë, por infrastruktura mediatike që do ta ndihmonte atë të bëhej më e dukshme, më e lidhur dhe më e organizuar.

2016: Një ide që erdhi para kohës së saj

Historia e DSHM nis në vitin 2016. Ideja e parë ishte krijimi i një direktorie të vetme ku klinikat dentare të regjistroheshin me profilin, shërbimet, adresën dhe vlerësimet e pacientëve. Qëllimi ishte që çdo pacient të mund të gjente lehtësisht një klinikë dhe të krahasonte informacionin e nevojshëm në një vend të vetëm.

“Shkoja klinikë më klinikë dhe i regjistroja vetë në laptopin tim. Por para dhjetë vjetësh dentistët nuk e kuptonin ende se përse u duhej një profil në një platformë të tillë. Nuk pati rezultat dhe u tërhoqa nga ideja e direktorisë, por vendosa të mos e mbyll faqen e Instagramit.”

Ajo që dukej si dështimi i projektit të parë u bë, në fakt, fillimi i komunitetit. Mingo nisi të publikonte këshilla dentare, video humoristike, produkte, punime dhe profile dentistësh. Për dy ose tre vitet e para nuk kishte pothuajse asnjë të ardhur prej faqes. Megjithatë, ritmi vazhdoi: të paktën dhjetë story në ditë dhe një ose dy postime, çdo ditë.

Në atë periudhë ishte student dhe, siç e përshkruan vetë, kishte luksin të provonte çdo ide. Dalëngadalë, faqja hyri në radarët e dentistëve, studentëve të stomatologjisë dhe pacientëve që kërkonin informacion apo shërbime dentare. Kur komuniteti arriti rreth 15,000 ndjekës, erdhën edhe të ardhurat e para. Por më e rëndësishme se fitimi ishte prova se kishte lindur një audiencë reale.

Pauza që e largoi nga DSHM dhe e përgatiti për t’u kthyer

Në këtë rrugëtim pati edhe një pauzë. Mingo vendosi të ndiqte një tjetër pasion: shkrimin, mentorimin dhe punën me njerëz që kërkonin motivim apo qartësi mendore.

“Le ta quajmë një life coach pa shumë life experience, sepse isha njëzet e pak vjeç,” thotë ai duke qeshur. “Por dëshira për të shkruar dhe për t’i ndihmuar njerëzit ishte e vërtetë.”

Ai nisi trajnime online mujore dhe organizoi evente fizike e retreat-e me pjesëmarrje të konsiderueshme. Projekti “Terapi Suksesi” krijoi një komunitet prej rreth 35,000 ndjekësish. Gjithçka kishte nisur nga një zakon i thjeshtë: të shkruarit kudo.

“Shkruaja në mëngjes në kafe dhe e publikoja. Mund të shkruaja dy mijë fjalë ndërsa prisja në lavazh. Shkruaja kudo që isha, për gjithçka që më vinte. Te shkrimi gjeta shpërthimin tim.”

Mbështetja që morën shkrimet e gjata e shtyu të shkruante librin e parë, “Koshienca”, një vëllim prej rreth 250 faqesh, i punuar për dy vjet dhe shitur përafërsisht rreth një mijë libra. Në atë periudhë ai lexoi qindra libra, kryesisht në psikologji, filozofi, motivim dhe spiritualitet, dhe ndoqi mijëra orë materiale nga autorë e mentorë të ndryshëm.

Sot ai e sheh atë kohë me një distancë të shëndetshme. “Shumë material për… asgjë,” thotë me humor, jo sepse ajo periudhë nuk i dha vlerë, por sepse kuptoi se për të ishte një fazë dhe jo destinacioni përfundimtar. Pas katër librave të shkruar, ai zgjodhi të tërhiqej nga industria e self-help dhe të ndërtonte diçka më konkrete, të matshme dhe afatgjatë.

Ai kishte kuptuar një të vërtetë që do të bëhej pjesë e filozofisë së tij sipërmarrëse: njerëzit shpesh kërkojnë qetësinë e menjëhershme të të dëgjuarit, por rritja kërkon veprim dhe dalje nga komforti. Për Mingon, DSHM ishte vendi ku komunikimi mund të kthehej në punësim, ekspozim profesional, dokumentim, reputacion dhe zhvillim real të një industrie.

Rikthimi: Nga menaxhimi i rrjeteve sociale te ideja e medias

Pas rikthimit te Dentistët Shqiptarë, Mingo punoi për rreth tre vjet me intensitet të lartë. Komuniteti kaloi mbi 30,000 ndjekës, ndërsa ai menaxhonte paralelisht rrjetet sociale të klinikave dentare. Kjo i dha një pamje nga brenda të nevojave të klinikave: jo vetëm nevojën për postime, por për staf, autoritet, dokumentim, edukim, rekrutim dhe komunikim të vazhdueshëm me pacientët.

Pikërisht aty lindi ideja e medias dentare. Dentistët janë profesionistë me kohë të kufizuar dhe me një volum të madh përgjegjësish klinike. Vizioni i Mingos ishte që, sa herë një profesionisti t’i duhej diçka nga industria informacion, staf, trajnim, ekspozim, një laborator, një event apo një partneritet ta gjente menjëherë te DSHM, pa humbur kohë.

“Dentistria kishte nevojë për median e saj të dedikuar. Jo thjesht për një faqe që poston, por për një strukturë që del në terren, interviston, filmon, dokumenton, arkivon dhe krijon ura bashkëpunimi.”

Shkurt 2026: DSHM bëhet një media me zyrën e saj, staf dhe terren

Në shkurt 2026, DSHM hyri në një fazë të re. U hapën zyrat në Bllok dhe u investua në pajisje filmimi, studio, staf editorial dhe kapacitete prodhimi. Nga një komunitet digjital, projekti u shndërrua në një media që prodhon artikuj, intervista, podcaste, reportazhe, video profesionale dhe dokumentime në terren.

Shifrat tregojnë shkallën e ekosistemit: mbi 43,000 ndjekës në kanalin kryesor, mijëra profesionistë në rrjet, qindra klinika dhe laboratorë të prekur nga shërbimet e platformës dhe mbi 600 persona të punësuar përmes njoftimeve të DSHM Punësim.

Dhjetëra trajnime tashmë kanë një dokumentim real, i cili nuk zhduket pas përfundimit të aktivitetit, por mbetet si pjesë e arkivit të dentistrisë shqiptare.

Ekipi ka dokumentuar trajnime dhe aktivitete në Delta Dent, përfshirë trajnimin e Dr. Klevis Lamçja, Albanian Aligners Academy, Isufi Academy, Shijaku Academy dhe E-Guide etj. DSHM ka qenë gjithashtu e pranishme në evente të rëndësishme profesionale, si Kongresi i 7-të Ballkanik i Kirurgjisë Orale dhe Maksilofaciale në Tiranë. Për organizatorët, kjo do të thotë se trajnimi nuk mbetet vetëm një sallë e mbushur për një ditë; ai fiton intervista, fotografi, video, artikull dhe një gjurmë të kërkueshme në internet.

Editorialet profesionale: Një spotlight që mbetet në Google dhe AI

Një nga shtyllat më të rëndësishme të DSHM janë editorialet profesionale, të krijuara për të ngritur figurën e dentistit shqiptar dhe për t’i dhënë çdo profesionisti një hapësirë të qëndrueshme përtej ekspozimit të përkohshëm në rrjetet sociale.

Duke dokumentuar eksperiencën, specializimin, filozofinë e punës dhe kontributin e tyre, këto profile ndërtojnë një gjurmë digjitale të indeksueshme, duke rritur mundësinë që emri dhe puna e secilit të gjenden më lehtë në Google dhe të kuptohen nga platformat e inteligjencës artificiale.

Në këtë arkiv editorial janë prezantuar figura të njohura të industrisë, si Dr. Roland Zhuka, Edmond Mema, Dr. Renato Isufi, Dr. Ernest Llaka, Dr. Denisa Kostandini, Dr. Aurora Celami, Dr. Klevis Lamçja, Dr. Doniano Xhanari, Dr. Elda Kalemi, Dr. Gresalda Kërçiku, Dr. Alba Jolla, Dr. Emi Mansaku, Dr. Emanuela Selfo, Dr. Mattia Mema dhe Dr. Aurora Isufi.

Kështu, çdo editorial nuk mbetet thjesht një publikim, por shndërrohet në një aset afatgjatë reputacioni dhe në pjesë të historisë së dokumentuar të dentistrisë shqiptare.

“Në Poltron”: Biseda që i jep zë profesionit

Podcasti “Në Poltron” është kthyer në një prej formateve më të ndjekura të DSHM. Në të kanë qenë të ftuar profesionistë të njohur, mes tyre Dr. Renato Isufi, Dr. Aurora Celami dhe emra të tjerë të industrisë. Formati nuk kufizohet te teknika klinike. Ai zbulon historinë, vendimet, sfidat dhe filozofinë e punës së njerëzve që kanë ndërtuar klinika, akademi, laboratorë dhe karriera.

Impaktin e podcastit Mingo e sheh te identifikimi: dentistët shohin kolegët e tyre në një bisedë të gjatë, pa filtrin e një reklame të shkurtër; studentët shohin rrugëtimin pas profesionit; ndërsa publiku kupton më mirë njeriun pas bluzës së bardhë.

“Dentisti në Fokus”: Profesionisti, jo vetëm procedura

“Dentisti në Fokus” e çon kamerën brenda klinikës dhe e ndërton profilin e mjekut përmes intervistës, fotografisë, videos dhe artikullit editorial. Rubrika i ndihmon pacientët ta shohin dentistin nga afër: si mendon, si punon, çfarë standardesh ndjek dhe çfarë historie ka pas karrierës së tij.

Për profesionistin, vlera nuk është vetëm ekspozimi i momentit. Është krijimi i një profili mediatik që mbetet në website, kërkohet në Google, përdoret në rrjetet sociale dhe ndërton autoritet me kalimin e kohës. Kjo është arsyeja pse formati është pëlqyer shpejt: ai nuk shet një procedurë; dokumenton një identitet profesional.

“Lab’s Day”: Laboratorët dalin nga prapaskena

Në çdo rezultat të mirë klinik ekziston edhe puna e laboratorit, por ajo shpesh mbetet e padukshme për publikun dhe madje për një pjesë të tregut profesional. “Lab’s Day” u krijua për t’u dhënë laboratorëve mundësinë të prezantojnë ambientet, teknologjinë, proceset, ekipin dhe standardin e punimeve të tyre.

Kjo rubrikë nuk i drejtohet vetëm pacientit. Ajo i ndihmon dentistët të shohin laboratorët nga afër, të kuptojnë mënyrën e punës dhe të krijojnë bashkëpunime mbi bazën e informacionit, jo vetëm të rekomandimeve informale.

“Dental Icons”: Ruajtja e kujtesës së dentistrisë

Me “Dental Icons”, DSHM interviston akademikë, profesorë dhe figura me kontribut shumëvjeçar në dentistrinë shqiptare. Ky format ka një mision tjetër: të ruajë kujtesën e profesionit. Përvojat, shkollat e mendimit dhe historitë e brezave të mëparshëm nuk duhet të humbasin, por të dokumentohen dhe t’u kalojnë profesionistëve të rinj.

Në këtë pikë, media nuk është më vetëm kanal promovimi. Ajo bëhet arkiv. Dhe për Mingon, pikërisht ky është një nga dallimet më të rëndësishme midis një faqeje sociale dhe një institucioni mediatik.

DSHM Punësim: Kur media krijon rezultat të matshëm

Një prej problemeve më konkrete të industrisë është rekrutimi. Përmes DSHM Punësim, klinikat dhe laboratorët publikojnë vende pune dhe lidhen me dentistë, asistentë, teknikë, recepsionistë dhe profesionistë të tjerë. Mbi 600 persona të punësuar përmes njoftimeve nuk janë vetëm një statistikë audience; janë prova se një media e specializuar mund të zgjidhë probleme reale të tregut.

Ky është modeli që Mingo kërkon ta zgjerojë: çdo pjesë e platformës duhet të ketë një funksion. Artikulli duhet të ndërtojë autoritet. Videoja duhet të tregojë standardin. Podcasti duhet të krijojë njohje. Njoftimi duhet të sjellë kandidatë. Direktoria duhet ta bëjë profesionistin të gjendshëm. Eventi duhet ta lidhë industrinë.

Projektet e mëdha që po përgatiten

Pas podcasteve, rubrikave dhe dokumentimit në terren, DSHM po përgatit projekte të reja në një shkallë më të madhe. Mingo nuk zbulon ende emrat apo formatin e tyre të plotë, por thotë se synimi është t’i japin dentistrisë shqiptare një tjetër nivel prezantimi: produksion më të avancuar, evente që bashkojnë komunitetin dhe formate që e çojnë profilin e profesionistëve përtej një postimi të zakonshëm.

“Projektet që po krijojmë janë të një niveli tjetër. Ato do t’i japin dentistrisë një formë të re në Shqipëri. Ne duam që profesionistët tanë të prezantohen me të njëjtin standard me të cilin punojnë.”

Ky është edhe drejtimi ku DSHM synon të krijojë bashkëpunime të reja me dentistë, klinika, laboratorë, akademi dhe kompani. Jo thjesht për reklamim të shpejtë, por për projekte mediatike që dokumentojnë vlerën e tyre dhe ndërtojnë një prani afatgjatë.

Si e sheh Arber Mingo industrinë pas pesë apo dhjetë vitesh?

Kur e pyesim për të ardhmen, Mingo nuk e ndërton vizionin vetëm mbi turizmin dentar. Ai e njeh fuqinë e tij veçanërisht pozicionin që Shqipëria ka fituar në tregun italian por mendon se një industri e qëndrueshme duhet të ndërtojë bazën e saj te pacienti shqiptar dhe te infrastruktura vendase.

Sipas tij, turizmi dentar ka lëvizur historikisht nga një destinacion te tjetri: Turqia, Kroacia dhe sot Shqipëria kanë përfituar në periudha të ndryshme nga kombinimi i standardit dhe çmimit. Por asnjë valë nuk mbetet përgjithmonë në të njëjtën lartësi.

“Turizmi dentar është si një dallgë e madhe në oqeanin e dentistrisë. Pothuajse të gjitha anijet duan të futen në të për të arritur më shpejt në breg. Por kjo dallgë nuk të çon domosdoshmërisht atje dhe, kur të bjerë, anijet do të gjenden sërish aty ku ishin. Anija jonë ka një drejtim konkret. Ajo nuk pret një dallgë për të marrë shpejtësi; ecën e sigurt në drejtimin e duhur.”

“Ne po ndërtojmë për pacientët shqiptarë dhe për të ardhmen këtu ku jemi,” vazhdon ai. “Kur të vijë momenti ynë, do të kemi ndërtuar bazën e dentistrisë përmes platformës, medias dhe pranisë në terren.”

Në këtë vizion, DSHM nuk varet nga një trend i vetëm. Ajo synon të bëhet infrastruktura ku ruhet profili i profesionistit, gjendet klinika, rekrutohet stafi, promovohet edukimi, dokumentohet industria dhe krijohen bashkëpunime. Një platformë që funksionon kur tregu është në kulmin e një vale, por edhe kur ajo valë është qetësuar.

Nga këmbëngulja te institucioni

Historia e Arber Mingos dhe DSHM nuk është një histori suksesi të menjëhershëm. Është historia e një ideje që në vitin 2016 ishte ende e parakohshme; e viteve me dhjetëra publikime në ditë pa fitim; e një pauze që e çoi drejt shkrimit dhe mentorimit; e një rikthimi me më shumë qartësi; dhe e vendimit për të investuar në staf, zyrë e prodhim kur projekti kërkonte të bëhej më i madh se personi që e nisi.

 

Aftësitë e tij në teknologji informacioni, design, video dhe marketing nuk janë kapituj të ndarë. Ato janë mjetet me të cilat është ndërtuar DSHM. Edhe librat, qindra tekstet dhe mijëra orët e studimit nuk mbetën një fazë e humbur; ato krijuan aftësinë për të dëgjuar, për të bërë pyetjet e duhura dhe për t’i kthyer historitë profesionale në përmbajtje që njerëzit duan ta lexojnë e ta shohin.

“Për mua, DSHM nuk është thjesht biznes mediatik. Është mënyra jonë për t’i dhënë dentistrisë shqiptare ekspozimin, dokumentimin dhe respektin që meriton.”

Për dentistët, klinikat, laboratorët, akademitë dhe kompanitë që duan më shumë sesa një postim të përkohshëm, DSHM po ndërton një hapësirë ku puna e tyre mund të shndërrohet në histori, profil dhe autoritet. Bashkëpunimi me median nuk nis vetëm kur ka diçka për të shitur. Nis kur ka diçka me vlerë për të treguar.

Dhe pas dhjetë vitesh nga ideja e parë, duket se ky është momenti kur industria dentare shqiptare jo vetëm e kupton platformën që Mingo kishte imagjinuar, por ka filluar të ketë nevojë për të.

Kronika Dentare

  • 0 comments
  • 2 javë ago
  • 0 comments
  • 2 javë ago